Përmbyllet procesi i votave me kusht, fillon numërimi i votave përmes postës

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se të hënën në mesnatë është përmbyllur procesi i numërimit të votave me kusht dhe mëngjesin e së martës kanë filluar me numërimin e votave të ardhura përmes postës.

“Janë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime të cilat do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.

Sipas Elezit, numërimi i votave me kusht, i atyre me postë dhe përfundimi i disa procedurave tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), shënojnë fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt.

Elezi tha se po punojnë maksimalisht që të përmbyllin procesin e numërimit edhe të fletëvotimeve me postë.

Sipas tij janë 45 tavolina aktive të cilat po punojnë që të përfundoj numërimi.

Elezi tha se me shpalljen e rezultateve përfundimtare, nuk përmbyllet procesi zgjedhor sepse janë subjektet dhe kandidatët që mund të bëjnë ankesa.