Përmbyllet procesi i gërmimeve në Kizhevak, identifikohen 2 mbetje mortore

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se është përmbyllur procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Sipas njoftimit për media, në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë identifikuar, përmes ADN-së.

Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion, sipas njoftimit, është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).

“Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion”, thuhet më tej.

Sipas njoftimit, pjesëmarrës në gërmime ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

“Gjatë këtyre javëve, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur”, thuhet më tej.

Qeveria ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional, familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë.

Më 5 maj, në Kizhevak të Rashkës në Serbi, kanë rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Gërmimet e para në varrezën masive të Kizhevakut, janë bërë në fund të vitit të kaluar.

Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.

Autoritetet kishin thënë se kërkimet në Kizhevak do të vazhdojnë në vitin 2021, pasi të përmirësohen kushtet e motit.

Sipas autoriteteve në Kosovë, që nga viti 1999 të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe mbi 1,600 persona.

Për këtë rast, KALLXO.com kishte raportuar edhe ditë më parë, duke njoftuar për identifikimin e dy mbetjeve mortore në këtë lokacion.

Identifikohen mbetjet mortore të dy shqiptarëve të zhdukur, në Kizhevak të Serbisë