Përmbushja e zotimeve nga qeverisja e Qemajl Aliut

Doktori Qemajl Aliu, në vitin 2021 për herë të parë kandidoi për të marrë drejtimin e Komunës së Shtimes. Në kohën kur po garonte për këtë komunë, ishte pyetur mes tjerash në “DebatPernime” për planet e tij lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. 

Aliu nuk kishte dhënë një plan konkret por kishte thënë se do të jetë në kontakt me instancat e sigurisë në nivel lokal dhe qendror. 

“Ne do të jemi vazhdimisht në kontakt me instancat e sigurisë në nivel lokal dhe nivel qendror por edhe me komunitetin dhe qytetarë dhe proporcionalisht me ndodhitë që mund të ndodhin do t’iu përgjigjemi në mënyrë profesionale”, kishte thënë shkurt Aliu më 1 tetor 2021. 

Shtatë muaj pas, kur Qemajl Aliu mori timonin e komunës me 27 mijë banorë, ai shpalos raportin e tij në këtë drejtim.

Ai tregon se që nga muaji mars kanë të themeluar Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për të cilin thotë se deri më tani kanë mbajtur tri mbledhje të rregullta.

“Që në ditën e parë kur kam ardhur këtu, në kuadër të këtyre fenomeneve negative jam mundu me themelu sa më shpejtë këshillin komunal mbi sigurinë që përfshin të gjitha strukturat duke filluar nga komandanti i policisë, një i FSK, zjarrfikësit, nëpunësit komunë që alarmojnë për fatkeqësisht natyrore, për këto fenomene në shoqëri, komunitetin e prindërve, drejtorët e shkollave”,

“Kemi pas një ngecje në themelimin e këshillit në asamble, por që nga marsi kemi fillu me KKSB dhe ne mbajmë mbledhjet tona të rregullta çdo muaj, fatmirësisht nuk kemi pas nevojë më mbajtë ndonjë të jashtëzakonshme, dhe deri tani gjithçka është nën kontroll të gjitha hallkat e sigurisë raportojnë dhe të gjitha këto tema ne i diskutojmë brenda këtij këshilli”, shton kryetari Aliu.

Por kryetari Aliu për KALLXO.com thotë se shqetësuese në Shtime është vandalizmi – dëmtimi që qytetarët i bëjnë pronës publike.

“Një fenomen tjetër që unë me stafin e kemi evidentu është vandalizmi. Kur them vandalizmi, është sjellja e shoqërisë, sidomos e të rinjve, ndaj pronës publike dhe ndaj objekteve publike, këndeve të lodra, stadium, me një mos respekt. Këto janë ato që e cenojnë sigurinë e përgjithshme”, u shpreh ai.

Ai thotë se ka biseduar edhe me drejtorë të shkollave dhe se iu ka thënë që me mbajtë ligjerime lidhur me dukuritë negative në shoqëri. 

“Jemi mundu me marrë masa përmes policisë, drejtorëve të shkollave, me i bartë shqetësimin tonë sidomos nëpër shkolla fillore dhe gjimnaze, profesionale që këto tema mu trajtu. Drejtorëve të shkollave ju kam thënë që është mirë që sidomos mësimdhënësit e lëndëve shoqërore, edukimi qytetar, sociologjisë dhe pse jo edhe në lëndë të tjera me mbajtë leksione rreth narkomanisë, vetëdijesimit me pronën e përbashkët publike”

Nga pesë drejtorë të shkollave në Shtime të kontaktuar nga KALLXO.com kanë konfirmuar se mbajnë takime të rregullta me Drejtorinë e Arsimit dhe se ka pasur kërkesa që të iu jepet prioritet në ligjerimin e cështjeve të vandalizmit dhe bullizimit. 

Ndërkaq, kryetari Aliu ka shtuar se ka “komunikim të vazhdueshëm” edhe me Bashkësinë Islame në Shtime. Sipas tij, “po bëhet punë e mirë” që mos të ketë radikalizim fetar. 

“Ndërsa për frymën e radikalizimit islamik, unë kam kontakte edhe bashkësinë islame në Shtime, me myftiun dhe bashkë me të gjithë hoxhallarët që janë në të gjitha xhamitë e komunës së Shtimës, kemi komunikim të vazhdueshëm, permanent dhe komunikim shumë korrekt. Nuk kemi se kemi parë fenomene që përkrahet ose kultivohet ndjenja e radikalizimit. Me sa kemi kuptu ne, edhe këta e kanë shqetësim këtë, edhe janë të fokusuar në islamizimin tradicional. Konsiderojë se po bëhet punë e mirë, që këto fenomene mos të ndodhin”, ka thënë ai. 

Skender Baftiu, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Shtime në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se bashkëpunimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Shtime me komunën dhe te gjitha institucionet është ne nivelin me të mirë.

Sipas tij, me kryetarin e Komunës kanë një bashkëpunim shumë të mirë “por sa i përket ekstremizmit fetar thotë se nuk është diskutuar pasi nuk kanë  elemente të tilla në komunë”.

“Bashkësia Islame ka luajtur një rol te pa mohueshëm në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm ne shoqërinë tonë. Bashkësia Islame përmes imamëve të tyre ka përçuar mesazhin e duhur tek popullata në parandalimin e çdo ekstremizmi. Për këtë është vlerësuar larte edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan”, u shpreh ai.

Baftiu shtoi se janë pjesë edhe në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi ku “kontribuojnë në shumë fusha”. 

“Së bashku edhe me kryetarin e Komunës dhe shumë përfaqësues tjerë jep kontributin e tij ne shume çështje që lidhen drejt për së  drejt me qytetaret tanë. Duke kontribuar në  shumë fusha si : parandalimin edhe rehabilitimin e personave me ekstremizëm te theksuar, luftimin e dukurive negative, siguria ne komunitet, vetëdijesimi i qytetareve për mos ndezje te zjarreve, siguria ne rruge, sigurinë në shkolla dhe shume çështje tjera me interes për qytetaret. Ne si KBI dhe unë si kryetar shpeshherë këto shqetësime i adresojmë përmes imamëve në hytbet e xhumasë dhe dërgojmë mesazhin e duhur”, u shpreh Baftiu.