Ilustrimi: KALLXO.com

Përmbaruesve u kërkohet t`i ndalojnë përmbarimet në paga dhe pensione të qytetarëve për dy muaj

Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një Udhëzim, me të cilin përmbaruesve u kërkohet që të mos jua bllokojnë, apo marrin mjetet nga llogaritë qytetarëve në dy kategori, në paga dhe në pensione.

Kjo kërkesë për përmbaruesit privat sipas Udhëzimit të nënshkruar nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të vlejë për muajin prill dhe maj, për shkak të pandemisë me coronavirusin COVID–19.

“Për shkak të situatës së rënduar nga pandemia Covid-19, si dhe për shkak të reduktimit të stafit në institucione, banka, zyra përmbarimore si dhe për shkak të nevojave në rritje të qytetarëve për furnizime me gjëra të domosdoshme për ekzistencë, Ministria e Drejtësisë, udhëzon përmbaruesit, që t’i lejojnë qytetarët t’i marrin pensionet dhe pagat për muajin Prill dhe Maj 2020, pra të mos i debitojnë këto pagesa për interes të lëndëve përmbarimore për shkak të situatës në të cilën po ndodhemi”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.