Përmbaruesi i vëllezërve të Sylejman Selimit stopohet nga banorët e Resnikut

 

Në vitin 2017, emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka transmetuar të gjeturat e një hulumtimi për vendimin e familjes Hoti nga fshati Resnik i Klinës për të marrë ligjin në dorë dhe për të penguar vëllezërit e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimi dhe dy bashkëfshatarë të tij për t’u futur në pronat e privatizuara nga AKP.

Si rezultat i një procesi konkurrues në valën e 59, Agjencia Kosovare e Privatizimit e shiti pronën e ndërmarrjes ‘Malishgan’ prej 117 hektarë për 164 mijë e 850 euro, apo 14 euro për 1 ari. Blerësit e kësaj prone dolën të jenë kompania “Mirusha” e cila në regjistrin e kompanive në ARBK figuron të jetë pronë e vëllezërve të Sylejman Selimit.

Kjo betejë për pronën e privatizuar po vazhdon edhe sot.

Gjatë kësaj jave, rreth 30 banorë të fshatit Resnik të Klinës kanë dalë në afërsi të tokës së privatizuara pasi janë informuar se përmbaruesi do të vijë tek pronat në orën 09:30.

Banorët në orën 08:00 të mëngjesit ishim mbledhur dhe kishin shkuar tek pronat për të penguar përmbaruesin që të hyjë në pronat që i shiti AKP-ja.

Isa Hoti, njëri nga banorët e këtij fshati ka treguar për KALLXO.com arsyen pse janë mbledhur në afërsi të pronave.

“Sot  kemi dal këtu në këtë pronë tonën se një përmbarues privat nga Gjakova na ka thanë se në orën 09:30 dalim në vend të ngjarjes për të bërë disa pika, me i tregu se prona është e jona dhe me i thanë që nuk bën me e kry këtë punë”, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka treguar se kjo pronë figuron në emrat e tyre që nga viti 1934.

“Prej vitit 1934 figuron prona, janë katër pjesëtarë, babain e kam gjallë 86 vjeçar, fleta poseduese është në emrin e tij, është vendimi qysh na kanë konfisku në atë kohë në vitin ’59, na janë vra pleqtë, gjyshërit tanë, ne e dimë për pronë tonën që nga atëherë deri më sot”, ka treguar Hoti.

Ai tutje ka shtuar se kjo tokë punohet nga banorët e këtij fshati, pasi që ju duhet për bagëtitë e tyre.

“Prona është e punuar mbi 60, 70 hektarë është grurë e mbjellë, tjerat janë me barë, livadhe e kullosa, se i mbajmë edhe disa bagëti”, thotë Hoti.

Hoti ka thënë për KALLXO.com se do të vazhdojnë të mbrojnë tokën e tyre pasi që nuk kanë se ku të shkojnë.

“Ne do të vazhdojmë me punu edhe nuk mundemi me liru pronën se nuk kemi ku me shku. Ne jemi me drejtësi, prej 2011 e kemi lëndën në Gjykatën Supreme, edhe jemi anku përsëri, na kanë lajmëru mos u ngutni, por ne po mundohemi me mbrojtë tokën sepse kemi dokumentacion të mjaftueshëm”, thotë Hoti.

Pas pritjes prej më shumë se katër orëve që përmbaruesi të vijë në kohën e paraparë, ai nuk erdhi tek banorët por i ftoj ata që të shkojnë në afërsi të një rruge në fshatin e tyre.

Por këtë banorët nuk e pranuan, pasi që donin që me përmbaruesin Gjokë Radi, të takoheshin te pronat për të cilat bëhej fjalë.

Pas kundërshtimit të banorëve që të takohen poshtë fshatit, përmbaruesi Gjokë Radi, u largua nga fshati.

Banorët pasi morën vesh se përmbaruesi është larguar, e kontaktuan në telefon për të ditur arsyet pse nuk erdhi të takohej me ta.

Pas bisedës në telefon, banorët e këtij fshati vendosën që të presin në takim përmbaruesin me Stacionin Policor në Klinë për të biseduar me të në lidhje me pronën.