Foto: Ilustrim

Përmbajtja e kërcënimit ndaj kryeprokurorit, kryetarit të Gjykatës e komandantit të policisë së Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit sot gjatë ditës ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin S.K., i cili dyshohet që përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka kanosur zyrtarët më të lartë të Policisë, Prokurorisë e Gjykatës në Prizren.

KALLXO.com ka mësuar se i dyshuari S.K., në statusin e tij ka shënuar se pas bastisjes që i ishte bërë nga ana e policisë në shtëpinë e tij, ai do t’i hakmerret kryeprokurorit të prokurorisë, kryetarit të gjykatës dhe komandantit e zëvendëskomandantit të policisë.

“Tash unë me kompaninë time për inati kemi me i nxanë kryeprokurorin, kryetarin e gjykatës, komandantin e policisë dhe zëvendëskomandantin dhe me bejsboll, me thika kemi me i copëtu dhe kemi me i qit në video, le t’i sheh krejt bota”, është njëra nga pjesët e kërcënimit të publikuar në rrjetin social Facebook, që e çoi në paraburgim prej 30 ditësh të dyshuarin S.K.

Lidhur me këtë rast, kryeprokurori i prokurorisë së Prizrenit, Amir Shala për KALLXO.com ka sqaruar se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të bastisjes që është kryer rreth një javë më parë.

“Ky rast ka të bëjë me një bastisje para një jave, ku ky person pastaj na ka kërcënuar në statusin e “Facebook-ut”, mua, kryetarin e gjykatës dhe drejtorin e policisë”, ka thënë kryeprokurori Shala për KALLXO.com.

Pas këtij publikimi kryeprokurori ka sqaruar se i dyshuari është arrestuar dhe gjykata ka vazhduar me procedurat e mëtejme.

Ndërkaq, Drejtori i Policisë së Prizrenit Faton Aliu ka deklaruar se dje është proceduar rasti ndaj të dyshuarit i cili edhe është arrestuar.

Tutje ai ka shtuar se pasi është publikuar statusi me përmbajtje kërcënuese, zyrtarët policorë të hetimeve rajonale kanë kontaktuar me prokurorinë ku me autorizim i dyshimti është lokalizuar.

“Nuk ka pasur kërcënim me emër të posaçëm ndaj zyrtarëve policorë, ka qenë si kanosje e përgjithshme, nuk ndihem i kërcënuar”, tha shkurtimisht komandanti i Policisë, Faton Aliu.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar lidhur me kanosjen ku ndaj të dyshuarit Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas gjykatës, S.K., në të kaluarën ka qenë kryerës i veprave të dhunës, lëndimeve dhe kanosjes.

Kanosi në Facebook zyrtarët e Prokurorisë, Gjykatës e Policisë, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin