
Përlyhen shenjëzimet për këmbësorë në Mitrovicë të Veriut, rasti po hetohet
Në rrugët e Mitrovicës së Veriut Komuna është duke vendosur shenjëzimin horizontal dhe vertikal, me ngjyrat gjelbër dhe bardhë.
Disa prej këtyre vendkalimeve të këmbësorëve shihen të përlyera me ngjyrë të bardhë.
Për këtë shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza tha se është duke u hetuar rasti.
“Nuk e dimë kush i ka bërë, veç e dimë që një dorë e keqe. Kemi diçka, jemi tu punu, mirëpo s’mund të them asgjë. Është nën hetime.” – tha Fejza.
Për dëmtimin e tyre tha që është në dijeni edhe shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Syla.
“Po e kemi pa. Institucionet janë duke e bërë hulumtimin e rastit. Në momentin që i identifikojnë institucionet ndërmarrin veprimet e tyre.” – u shpreh Syla.
Tutje, Syla tregoi se ngjyrat gjelbër dhe bardhë në këto shenjëzime simbolizojnë qytetin e Mitrovicës.
“Shenjëzimi do të bëhet në krejt qytetin. Inspirimi ka ardhur se ngjyra e gjelbër dhe e bardhë janë ngjyra të Trepçës, minatorit e Mitrovicës.” – përfundoi Syla.
Ndryshe, më 06.03.2025, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se këto shenjëzime janë vendosur për të përmirësuar sigurinë dhe lehtësuar orientimin në qytet.
“Ky hap synon rritjen e efikasitetit në komunikacion dhe krijimin e një mjedisi më të rregullt për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve.” – thuhej në njoftimin e Komunës.
KALLXO.com iu sjell pamje të punëtorëve – duke punuar për këto shenjëzime.