Ilustrim

Përleshje në një shkollë të Prishtinës, arrestohen 4 nxënës

Katër nxënës të një shkolle në Prishtinë janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga ana e zyrtarëve policorë të stacionit Jugu.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se të arrestuarit të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike dhe si pasojë e kësaj përleshje njëri nga ta është lënduar.

“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave, në një shkollë në Prishtinë. Në këtë rast është lënduar një person, të cilit i është dhënë trajtimi i nevojshëm mjekësor” – ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Ajo tutje ka treguar se nxënësit e arrestuar pas intervistimit nga ana e Policisë me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar rast për veprën  – lëndim trupor.