Ilustrim

Përleshje në një parking në Vushtrri, plagoset me armë zjarri një person

Policia e Kosovës ka njoftuar, se një person është plagosur me armë zjarri pas një përleshje mes dy personave në një parking në Vushtrri.

Sipas Policisë, i plagosuri ishte dërguar në emergjencën e spitalit në Vushtrri e më pas edhe në QKUK.

Viktima kishte hyrë mes tyre për t’i ndarë dhe është plagosur nga njëri prej të dyshuarve, i cili siç njofton Policia, gjendet në arrati.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar, janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe një predhë e fishekëve”, njofton Policia.

Lidhur me këtë rast, janë arrestuar dy persona dhe është sekuestruar një pistoletë që dyshohet se është përdorur në atë rast.

Ngjarja ka ndodhur në Vushtrri, në orët e hershme të mëngjesit gjatë ditës së djeshme.