Stamboll - Foto: REL/Shutterstock

Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Turqi

Të hënën (4 janar) policia turke u përlesh me studentët që protestuan kundër emërimit të një rektori të ri, në një nga universitetet kryesore të vendit. Studentët dhe stafi akademik thonë se procesi i emërimit ishte jodemokratik.

Në një dekret të botuar të shtunën, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan emëroi Melih Bulu, i cili ka kryer një doktoraturë për menaxhimin e biznesit, si rektor të Universitetit Bogazici në Stamboll.

Vendimi nxiti protesta të studentëve dhe profesorëve. Pamjet në mediat sociale treguan qindra studentë që mbanin pankarta përmes së cilave që kërkonin dorëheqjen e Bulu. Ata brohorisnin parulla duke përfshirë “Melih Bulu nuk është rektori ynë” dhe “Ne nuk duam një rektor të caktuar nga shteti”. Policia e Stambollit nuk bëri komente menjëherë.

Bulu, për të cilin media turke thotë se konkuroi për të qenë një kandidat për partinë në pushtet të Erdoganit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, është rektori i parë i zgjedhur jashtë universitetit, që nga një grusht shteti ushtarak në Turqi më 1980, thanë anëtarët e fakultetit të Bogazici.

Në një deklaratë të shpërndarë në mediat sociale, ata thanë: “Ne nuk e pranojmë atë pasi emërimi i tij shkel qartë lirinë akademike dhe autonominë shkencore, si dhe vlerat demokratike të universitetit tonë”.

Emërimi është edhe “një nga praktikat e vazhdueshme anti-demokratike që nga viti 2016”, thanë ata, duke iu referuar një goditje në shkallë të gjerë të autoriteteve, pas një grusht shteti të dështuar pesë vjet më parë.

Duke folur në një konferencë shtypi pas një takimi të Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi e cila udhëhiqet nga Erdogan, një zëdhënës i partisë, Omer Çelik, mohoi se emërimi ishte një goditje kundër lirisë akademike.

“Çdo akademik, si çdo person, ka të drejtë për mendimin e tij politik. Ne nuk i bazojmë emërimet në përkatësitë politike të akademikëve”, tha ai.

Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar në Turqi, kundër lëvizjes së predikuesit mysliman me qendër në SHBA, Fethullah Gulen, që nga përpjekja për grusht shtet më 2016.

Kritikët thonë se qeveria e Erdoganit ka përdorur përpjekjen e grushtit të shtetit si një pretekst për të shuar mospajtimin. Qeveria thotë se masat janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të sigurisë me të cilat përballet Turqia./REL