Përleshje me thika në Deçan, dy të arrestuar

Dy persona të dyshuar në lidhje me përleshjen ku u përdorur edhe thikat në Deçan, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.

“Tani sapo u njoftova se dy persona të cilët janë identifikuar si të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim”, tha Gashi.

Tutje ai tregoi se nga kjo përleshje janë lënduar katër persona, dy nga ta janë dërguar në QKUK.

“Sot rreth orës 12:10 policia në Deçan është njoftuar për disa persona të lënduar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan. Policia i është përgjigjur vendit të ngjarjes i cili ka ndodhur në afërsi të Gjykatës Themelore në Deçan. Në përleshje kanë qenë të përfshirë pesë persona, prej tyre katër kanë pësuar lëndime dhe dyshohet se gjatë përleshjes janë përdorur mjete të mprehta (thika). Dy prej tyre janë dërguar në QKUK ndërsa dy të tjerë në spitalin në Pejë”, tha Gashi tutje.