Qendra e votimit në Shkollën Teknike në Mitrovicë

Përleshja në Mitrovicë: Intervistohen 9 persona dhe gjendet një gëzhojë e plumbit

Ditën e parë të javës disa nxënës të Mitrovicës e kanë nisur me një zënkë, ku është përdorur edhe një armë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për KALLXO.com se deri më tani në lidhje me këtë rast janë intervistuar 9 persona.

Zahiti ka konfirmuar për KALLXO.com se është gjetur edhe një gëzhojë e armës, që sipas tij dyshohet se ka qenë e një nxënësi.

“Është gjetur në vend të ngjarjes një gëzhojë, e cila dyshohet se është shkrepur nga një armë që dyshohet se e ka pasur njëri nga personat e përfshirë, të gjithë janë të mitur, ata janë liruar sipas procedurave por rasti vazhdon me u hetu”, tha Zahiti.

Sipas tij rasti nuk ka ndodhur në hapësirë të ndonjë shkolle, por në afërsi, ku ka shtuar se dyshohet që ata janë nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi”.

“Rasti ka ndodhur në rrugën e UÇK-së, afër shkollave në atë zonë, s’ka ndodhur në shkollë, por në rrugë dhe thuhet se janë nxënës të gjimnazit”, tha Zahiti.