Ilustrim
Përleshja në lagjen "Kalabria", gjykata vendos ndaj katër të dyshuarve
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të pandehurve, A.H.1, A.H.2 dhe J.H, në lidhje me përleshjen që ndodhi më 05.09.2024 në lagjen “Kalabria” në Prishtinë. Ndërsa ndaj të pandehurit të katërt, M.H, është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor.
Katër të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës bëhet e ditur se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale.
“Duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën, sesi pretendohet se janë kryer veprat penale, po ashtu edhe raportet familjare ndërmjet të pandehurve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale” – theksohet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës më 07.09.2024.
“Gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale dhe ndikimin në dëshmitarë me qëllim të lirimit të të pandehurve nga përgjegjësia penale, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë”- vazhdon njoftimi.
Më tej, Gjykata e Prishtinës ka shpjeguar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 05.09.2024, rreth orës 20:30 në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore janë përgatitur dhe kanë marrë mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Më tej thuhet se kanë shkuar në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, dhe pas një fjalosje të shkurtër, kanë filluar t’i godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të dëmtuarit A.H i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.