Përleshja e sotme në Gjakovë pas ndeshjes së boksit, policët u sulmuan me sprej

Një ndeshje boksi në Gjakovë, nuk përfundoi bashkë me gongun e gjyqtarit. Rrahja vazhdoi edhe jashtë ringut, pasi që familjarët e boksierit që humbi ndeshjen, kanë sulmuar gjyqtarët.

KALLXO.com raportoi para pak orësh për rrahjen mes gjyqtarëve dhe familjarëve të njërit nga pjesëmarrësit në turnirin e boksit.

Mirëpo, përveç gjyqtarëve edhe pjesëtarët e policisë kanë qenë cak i sulmit sot në Gjakovë.

Ngjarja ka ndodhur  në palestrën “Shani Nushi” deri sa po mbahej një turnir boksi për nder të 22 vjetorit te Çlirimit te Gjakovës.

Zëdhënësi i Policisë në Gjakove, Nysret Xhurkaj për KALLXO.com ka dhënë detaje të ngjarjes.

“Pas kumtimit te një rezultati nga ana e reverëve, disa familjarë të njërit garues kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të gjyqtarëve dhe kanë  filluar të ofendojnë dhe më pastaj të sulmojnë, fillimisht referat, dhe pastaj edhe stafin tjetër të turnirit”, tha Xhurkaj.

Xhurkaj ka treguar se në këtë situatë janë sulmuar edhe zyrtarët policor.

“Policia ka ndërhyrë për ta qetësuar situatën ku me pastaj të dyshuarit kanë sulmuar edhe policët duke i shtyrë dhe hedhur sprej, të cilin ia kanë marrë një policit nga brezi”, tregon Xhurkaj tutje për KALLXO.com.

Zyrtarët policor kanë arrestuar ( shoqëruar) 3 persona te dyshimtë ku njeri nga ta duke ikur ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në këmbë.

Boksieri humbet ndeshjen, familjarët e tij sulmojnë gjyqtarët