Vendi i ngjarjes nga plagosja e vrasja në Aktash, Foto Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Përleshja e armatosur në Prishtinë, dy prej të plagosurve mbahen në Emergjencë shkaku i sigurisë
Dy prej pesë të plagosurve në ngjarjen e mbrëmshme (01.09.2024) në lagjen Aktash në Prishtinë janë në gjendje stabile dhe po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kështu konfirmoi Drejtori i Ortopedisë, Xhavit Gashi për KALLXO.com.
Edhe pse po trajtohen në aspektin ortopedik, sipas tij, ata vazhdojnë të jenë të shtrirë në Emergjencë për shkak të sigurisë.
“Dy pacientë të tjerë ende janë në qendrën emergjente për shkak se ka qenë kërkesë e policisë për me e siguru perimetrin e sigurisë. Nuk kanë mujt ende me i transferu në Klinikën e Ortopedisë. Pra, nga aspekti ortopedik, ata e kanë marrë trajtimin fillestar, mirëpo ende nuk janë transferu për shkak të sigurisë” – tha Gashi.
Ortopedët e QKUK-së kanë trajtuar edhe një të plagosur tjetër, bashkë me kirurgët abdominalë dhe tani është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
“Klinika e Ortopedisë, shërbimi i kujdestarisë i ka trajtuar tri raste. Të tri rastet janë me lëndime me armë të zjarrit në ekstremitete” – tha Gashi.
Pesë persona u plagosën e një tjetër u vra mbrëmë, më 01.09.2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Breshëri plumbash, armë të gjata automatike e të shkurta u përdorën në këtë rast.
Deri më tani informacionet zyrtare janë se të përfshirë në këtë rast janë dy familje, që dyshohet se kishin probleme mes vete edhe në të kaluarën.
Deri në orët e hershme të mëngjesit të 02.09.2024, hetues policorë u panë në vendin e ngjarjes deri sa mblidhnin provat e mbetura nga ngjarja që u regjistrua.
Siç mëson KALLXO.com, personi i vrarë është P.G.
Njëri nga të dyshuarit në motor është arrestuar e tjetri është në kërkim.
Pasi kishin gjuajtur me armë zjarri, të dyshuarit ishin nisur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes por të njëjtit kanë hasur në një patrullë të policisë së rendit.
Gjatë ndjekjes, KALLXO.com mëson se policët patën edhe një aksident.