Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

Përkundër pandemisë, për tre muaj u regjistruan mbi 2,900 biznese në vend

Në tremujorin e parë të këtij viti, janar-mars 2021, janë regjistruar gjithsej 2,941 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak, (TM4 2020) ka rritje për 2.54 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 27.26 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së, për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë; Riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 804 ndërmarrje të regjistruara 27.33 për qind; Prodhimi me 344 ndërmarrje të regjistruara 11.69 për qind; Ndërtimtaria me 340 ndërmarrje të regjistruara 11.56 për qind; Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 293 ndërmarrje të regjistruara 9.96 për qind; Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 293 ndërmarrje të regjistruara 9.96 për qind; Informacioni dhe komunikimi me 173, apo 5.88 për qind etj.

Pjesë dërmuese e bizneseve të regjistruara i përkasin kategorisë prej 1 deri 4 të punësuar

“Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,831 ndërmarrje të regjistruara (96.3 %); me 5 deri 9 të punësuar janë 65 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 31 ndërmarrje të regjistruara (1.1%); me 20 deri 249 të punësuar janë 13 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është vetëm 1 ndërmarrje e regjistruar”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 860 ndërmarrje të regjistruara 29.24 për qind, Ferizaj me 258 ndërmarrje të regjistruara 8.77 për qind, Prizreni me 236 ndërmarrje të regjistruara 8.02 për qind, Gjilani me 156 ndërmarrje të regjistruara 5.3 për qind, Peja me 148 ndërmarrje të regjistruara 5 për qind dhe Fushë Kosova me 125 ndërmarrje të regjistruara 4.2 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Në anën tjetër në tre muajt janar-mars u shuan 404 biznese, ky numër është më i ulët në raport me tremujorin paraprak dhe tremujorin e njëjtë të vitit 2020.

Në tremujorin e katërt 2020 u shuan 440 biznese ndërsa në tremujorin e parë 2020 u shuan 430 sosh.

Burimi: Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet TM1-2021 (ASK)

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2021”.