Përkundër mospajtimeve, Vjosa Osmani insiston në nismën legjislative për pandeminë

Janë bërë gati një muaj prej se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me deputetë tjerë nënshkrues ka inicuar nismë legjislative për luftimin e pandemisë COVID-19, por ky projektligj nuk po arrin të proceduhet tutje për shkak të mos përkrahjes së disa grupeve parlamentare.

Muajin e kaluar ishte Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga e cila parti vjen edhe Osmani, që kundërshtoi procedimin e nismave legjislative në kohën kur qeveria funksionon në detyrë dhe se sipas tyre nga ajo nuk mund të merren komente për projektligje.

Por edhe një takim tjetër mes Osmani dhe përfaqësues të grupeve parlamentare dështoi këtë muaj të arrijë konsesusin e nevojshëm për këtë çështje.

Megjithëkëtë, kryeparlamentarja Osmani nuk do të heq dorë nga nisma e saj që të hartohet një ligj përmes së cilit rregullohet mes tjerash menaxhimi në kohën e coronavirusit.

Këshilltari i Osmanit, Artan Murati ka thënë për KALLXO.com se derisa Kosova përballet me pandeminë nuk do të hiqet dorë nga nisma legjislative.

“Deri në momentin kur do të ekzistojë pandemia dhe Kosova do të përballet me pandeminë kryetarja e Kuvendit si dhe deputetët nënshkrues nuk do të heqin dorë nga nisma legjistive të cilën e kanë inicuar edhe zyrtarisht në procedura brenda Kuvendit të Repubikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Murati ka shtuar se është duke u punuar në arritjen e një konsensusi të brendshëm politik, i cili më pas do të mund ta shtyente përpara ose do të mund të ndikonte edhe në miratimin përfundimtar të këtij projektligji.

“Ndonëse ka pasur disa hezitime nga disa grupe parlamentare në fillim mund ta konstatoj që për cdo ditë kjo nsimë po merr më tepër përkrahje brenda Kuvendit të Kosovës, dhe kësisoji shpresoj që në një të ardhme të afërt do të mund të trajtohet si i tillë në instancat brenda Kuvendit dhe pse jo të mriatohet edhe në një afat sa më të shpejt”, tha Murati për KALLXO.com.

Ai ka theksuar se nuk ka ndonjë planifikim zyrtar ose ndonjë datë konkrete të takimeve të ardhshme, duke shtuar se takimet kanë qenë të rregullta dhe të shpeshta me udhëheqës të grupeve parlamnetare “dhe si të tilla do të vazhdojnë në të ardhmen”.

Kjo iniciativë e kryetares së Kuvendit u riaktualizua pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastit KO61/20, përmes së cilit ia rikujton Kuvendit detyrimin “qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcaktoj mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19”.

Në situatën me COVID-19, Kosova po përballet me krizë politike pas rrëzimit të Qeverisë në krye me Albin Kurtin më 25 mars.

Dy vendime të ndryshme të ekzekutivit lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve u dërguan për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, përderisa kjo e fundit i shpallit të njëjtat kundërkushtetuese.

Në rastin e parë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, e dërgoi në Kushtetuese vendimin e Qeverisë Kurti të datës 23 mars për orën policore.

Ndërkaq, në rastin e dytë Partia Demokratike e Kosovës iu drejtua për interpretim Gjykatës Kushtetuese lidhur me disa vendime të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, Kushtetuesja e ka pezulluar deri me 29 maj, dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të ardhshëm.

LDK-ja bashkë me aleatët e rinj politik me të cilën nënshkroi koalicion, janë shprehur të gatshëm të qeverisin vendin e të menaxhojnë situatën me pandeminë në rast se Kushtetuesja jep të drejtën për formim të qeverisë sipas dekretit të presidentit.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po insiston për shkuarje në zgjedhje, sapo të normalizohet gjendja nga coronavirusi.

Të dyja palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pritet tyë vendos për zgjedhje të jashtëzakonshme ose për qeveri të re.