Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Përkundër krizës, Telekomi i Kosovës planifikon blerjen e 6 laptopëve

Prej kohësh, Telekomi i Kosovës përballet me një krizë financiare, veçanërisht vitin e fundit për shkak të borxhit milionësh që kompania publike po e paguan pas humbjes së arbitrazhit me kompaninë Z Mobile.

Vetëm së fundi, Telekomi ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me kompaninë që kishte filluar përmbarimin e borxhit, për zhbllokimin e llogarive.

Megjithëkëtë, më 20 nëntor të këtij viti, ndërmarrja publike ka hapur tender për blerjen e gjashtë laptopëve. Shuma e paraparë për këtë blerje është 4 mijë e 800 euro.

Sipas njoftimit për kontratë, laptopët parashihet të blihen për menaxhment (megjithëse në dosje të tenderit kjo fjalë është shkruar menaxhimet)

“Furnizim me Laptop 6 copa, me anë të kësaj kërkese parashihet furnizimi me pajisje te IT-së për përdorim nga Menaxhimet”, thuhet në njoftimin për kontratë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Telekomit për të marrë më shumë detaje rreth blerjes së këtyre laptopëve, por ende nuk ka pranuar përgjigje.