foto Kallxo.com

Përkujtohet Heroi i Kosovës, Triumf Riza

Triumf Riza, zyrtari policor që u vra më 30.08.2007, është përkujtuar sot nga ministri i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës – Gazmend Hoxha me stafin e lartë menaxhues dhe familjarët e heroit.

Për të nderuar veprimtarinë e tij, pjesëmarrësit vendosen kurora me lule pran lapidarit në vendin ku u vra Riza.

“Data 30 gusht e vitit 2007, ishte një datë e kobshme për vendin dhe Policinë e Kosovës, pasi humbi një zyrtar me vlerë të lartë policore, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij ndryshoj rrugën e sigurisë së shtetit dhe të qytetarëve, duke treguar se Policia nuk zmbrapset para asnjë krimineli” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje u tha se MPB dhe Policia e Kosovës do ta kujtojnë përherë me nder dhe respekt të thellë, Heroin e Kosovës – Triumf Riza dhe gjithë të rënët në detyrë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe vendit.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 në afërsi të lokalit ‘AM:PM’.

Ai ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës teksa ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij, e tre nga plumbat ishin vdekjeprurës për të.

Për këtë rast Enver Sekiraqa për herë të tretë më 03.05.2024 është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, e cila e ka dënuar me 25 vjet dënim me burgim për shtytje në vrasjen e Rizës.

Gjykata e Prishtinës ka ardhur me konstatim se vrasja e policit Triumf Riza nga i dënuari Arben Berisha ka qenë e shtytur nga Enver Sekiraqa.

Mirëpo, i akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.