Përkujtohet 30 vjetori i rënies së Murit të Berlinit
Përfaqësues të institucioneve në vend kanë përkujtuar 30 vjetorin e rënies se murit të Berlinit që çoi deri te ribashkimi i dy Gjermanive.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se me rënien e murit të Berlinit u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist.
“Ndarja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte plagë e hapur në Evropë. Muri i Berlinit u bë simbol ku kufizoheshin bota e demokracisë perëndimore dhe ajo e diktaturës lindore. Rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë”, ka shkruar Thaci, të shtunën.
Presidenti më tej ka shkruar se bashkimi i Gjermanisë ishte fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, e në fund ai ia uroi këtë ditë kombit gjerman.
Edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka përkujtuar këtë ditë të cilën e quajti moment historik.
“Sot, 30 vjet më parë, në një moment historik, populli gjerman rrëzoi Murin e Berlinit që ndau Gjermaninë në dysh, dhe kontribuoi në fillimin e një ndryshimi të vlerave. Gjermania e bashkuar u bë shembull i lirisë e demokracisë dhe misioni i saj për paqe, siguri e stabilitet në botë, ishte dhe vazhdon të jetë thelbësor”, thuhet në njoftimin e Haradinajt në rrjetin social ‘Facebook’.
Me datën 9 nëntor 1989, ra muri i Berlinit gati katër dekada pas ndërtimit të tij, i cili ishte simbol i ndarjes së Gjermanisë dhe i ndarjes së tërë botës në dy blloqe, e që ishte praktikisht edhe fundi i Republikës Demokratike të Gjermanisë.