23 policët e rënë gjatë kryerjes së detyrës. Foto: Sindikata e Policisë të Kosovës

Përkujtohen 23 policët e Kosovës të rënë në detyrë

26 korriku shënon datën kur u vra polici i Kosovës, Enver Zymeri. Ai ra në krye të detyrës gjatë një aksioni policor në veri të vendit. Në këtë datë nuk përkujtohet vetëm ai, por edhe të gjithë policët të cilët humbën jetën sa ishin duke kryer punën e tyre.

Enver Zymeri i vrarë në vitin 2011, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, është njëri nga 23 policët e rënë në detyrë.

I vrari i fundit në detyrë është rreshteri Afrim Bunjaku. Ai u vra më 26 shtator 2023, gjatë një sulmi terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit nga një formacion i organizuar serb.

Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, Sindikata e Policisë i ka publikuar fotografitë e 23 policëve të rënë në detyrë që nga viti 2001.

21 policët tjerë që u publikuan nga Sindikata janë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi dhe Arben Sejdiu.

“Kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Këta heronj janë simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”- shkruan Sindikata.

Për t’i nderuar policët dhe kontributin e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë në kryerje të detyrës pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë, homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies të policit Enver Zymeri dhe gara profesionale të kërcimit në urën e parë të Liqenit të Ujmanit.