Arkiva

Përkthimi i mbi 30 mijë faqeve në maqedonisht e turqisht zvarrit gjykimin e "Stenta 3"

Në mungesë të të akuzuarit Arton Beqiri ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin “Stenta 3” ku po gjykohen drejtorët dhe mjekët e disa spitaleve private.

Të akuzuar në këtë rast janë, Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.

Prokuroria i akuzon ata për veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Për mungesën e të akuzuarit Beqiri, avokati i tij Kushtrim Palushi, e kishte njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet në Gjermani ku punon dhe jeton dhe për shkak të pandemisë nuk ka mundur të jetë prezent në seancën e sotme.

Për këtë arsye prokurorja Dulina Hamiti kërkoi nga trupi gjykues shtyrjen e seancën.

Më pas avokati Kujtim Kërveshi, i cili e përfaqëson spitalin “International Medicine Hospital” deklaroi se të akuzuarit shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë pajisur me shkresat e lëndës të përkthyera në gjuhët e tyre.

“Shumica nga të akuzuarit nuk janë pajisur me shkresat e lëndës, dhe kjo është bërë edhe në gjitha shqyrtimet gjyqësore edhe tek “Stenta 2”. Nuk e di si mund dikush te deklarohet në lidhje me fajësinë pa e ditë çka ka në shkresat e lëndës”, tha avokati.

I njëjti shtoi se nga 35 mijë fletë të shkresave materiale, vetëm 3,500 janë të përkthyera.

“Kurse 35 mijë fletë provë material i kemi në gjuhën shqipe e janë përkthyer vetëm 3.500 fleta”, tha avokati Kërveshi.

Kryetarja e trupit gjykuese Nusha Kuka- Mekaj, tha se prokuroria obligohet që t’i përkthejë në gjuhën maqedone dhe turke të gjitha shkresat e lëndës, nga se kjo do ishte shkelje e një gjykimi të drejtë.

Për këto arsye, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.

Prokuroria i akuzon për veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Tutje në aktakuzë thuhet se Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri pretendohet nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Kurse Mahmut Çakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacient me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdorur haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Tutje, Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna akuzohen se në periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, në bashkëkryerje me njëri tjetrin kanë ushtruar në mënyrë të kundërligjshme veprimet mjekësore në atë mënyrë që duke punuar në spitalin “Intermed”, kohë pas kohe i palicensuar, dhe duke vepruar edhe vetë kohë pas kohe si mjekë të palicensuar, kanë trajtuar pacientë me ç’rast edhe kanë përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Kurse, spitalet private “IMH”, “Intermed”, po akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për dhënie ryshfeti po akuzohet edhe spitali privat “Doktor”.

Që të tri këto spitale akuzohen edhe për veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agan dhe ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 45 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë.

Gjykimi ndaj ish-ministrit  Ferid Agani dhe ish-sekretarit Gani Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.

Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ku janë të përfshirë mjekë nga spitalet publike është duke u gjykuar në shkallën e parë.