Albin Kurti - Foto: ZKM

Përkrahja e komuniteteve joserbe ia siguron Kurtit votat për formimin e Qeverisë

Përfaqësues të partive politike nga radhët e komuniteteve joserbe, kanë ofruar sot përkrahjen e tyre për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, në takimet që kanë pasur me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.

Tre prej deputetëve të zgjedhur thanë sot se do ta votojnë Qeverinë me kandidatin për kryeministër Albin Kurtin.

Pas takimeve që patën sot me Kurtin e Osmanin, Duda Balje nga subjekti politik boshnjak, Socijaldemokratska Unija, Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike, thanë se do të votojnë për formimin e Qeverisë. Votë pro pritet të japë edhe Elbert Krasniqi nga komuniteti egjiptian.

Kësisoj, me votat e partive politike joserbe, LVV-së dhe Kurtit i sigurohet shumica parlamentare për zgjedhjen e ekzekutivit.

Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 shkurti duke marrë mbi 50 për qind të votave, e rrjedhimisht duke siguruar 58 mandate në Kuvend.

Për votimin e Qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit do të mbahet të hënën më 22 mars.

Kurse, Glauk Konjufca nga LVV-ja është kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës.