Përkrahësja e PDK-së punësohet në Komunën e Ferizajt

Në një konkurs i datës 9 shtator të këtij viti për pozitën e Zyrtarit për Informim në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Emergjente në Komunën e Ferizajt, 35 persona u zgjodhën që të hyjnë në test me shkrim.

Prej tyre, 25 iu nënshtruan edhe fazës së dytë, intervistës me gojë.

Por, vetëm një nga kandidatët fitoi më së shumti pikë. Nga data 29 tetori pozitën e Zyrtares për Informim e bartë Yllka Ejupi- Ramusa.

Në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, Ejupi- Ramusa ka postuar disa fotografi të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), parti kjo e cila udhëheq në komunën e Ferizajt.

Në një bisedë për KALLXO.com, ajo e ka mohuar se është pjesë e strukturave të partisë. Mirëpo, Ejupi- Ramusa tha se është vetëm përkrahëse e PDK-së.

“Jo zotëri, unë nuk kam lidhje me PDK-në. Unë kam të drejtë të jem simpatizante, anëtare nuk jam. Secili ka të drejtë të zgjedh partinë e vetë këdo që dëshiron, por unë nuk jam anëtare”, tha ajo.

E pyetur nëse partia që udhëheq në komunën e Ferizajt ka ndikuar që ajo të punësohet në pozitën e re të punës, ajo e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, partia nuk ka ndikuar, sepse unë punoj në komunë prej vitit 2012 si zyrtare administrative. Si krejt të tjerët, e kam pa pozitën kam aplikuar, e kam të drejtën me apliku, kaq”, deklaroi shkurt ajo.

Në vitin 2012, kur ajo ishte punësuar në Komunën e Ferizajt, kishte udhëheq kryetari aktual i kësaj komune, Agim Aliu nga PDK.

Në një bisedë të shkurtë, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se nuk është bërë ndonjë favorizim, ndërkaq tha se në të kaluarën ka punësuar persona edhe të partive të tjera.

“Me këto punë merret zyra e personelit, ata i udhëheqin procedurat. Nuk merret kryetari me këto punë i nderuar. Unë nuk e di që është anëtare as përkrahëse unë nuk i përcjelli ku marrin pjesë njerëzit nëpër tubime, unë kam pranu këtu njerëz që janë nëpër tubime të Vetëvendosjes nëpër tubime të LDK-së. Nuk e di pse duhet me lidhë veç me PDK-në”, tha Aliu.

“Në Komunën e Ferizajt nuk favorizohen sepse pranohen të të gjitha partive politike, ka të pranuar nga VV nga LDK e të krejt partive”, tha tutje kryetari i Ferizajt që vjen nga PDK.

Ai ka kërkuar që të përcillen të gjitha konkurset e komunës për të parë se a bën favorizime.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në zyrën e informimit të Komunës së Ferizajt për të kërkuar më shumë detaje, por ende nuk ka pranuar përgjigje.