Përkrahësja e PDK-së në Kaçanik lë Drejtorinë e Shëndetësisë për t`u bërë drejtoreshë shkolle

Diana Bajrami- Reka, përkrahëse e Partisë Demokratike të Kosovës, deri të premten e javës së kaluar ka qenë Drejtoreshë e shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Kaçanikut.

E njëjta, ka liruar detyrën e saj të drejtoreshës së shëndetësisë ndërsa është pozicionuar në një vend tjetër të punës, atë të drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të ulët “Emin Duraku” në Komunën Kaçanikut.

Ky ndryshim në pozitë u bë vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale të cilat priten të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Konkursi i zhvilluar për pozitën e drejtoreshës së shkollës ka filluar që nga marsi i këtij viti, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe, Bajrami- Reka ka qenë në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë në Kaçanik.

Kthimi i Diana Bajrami- Rekës në arsim është bërë pas 6 vjet e 5 muaj, ndërsa gjatë kësaj kohe të pauzës Bajrami- Reka është parë në tubime të ndryshme të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila udhëheq në Kaçanik.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Kaçanikut, Adnan Reka, në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se nuk ka dijeni për shkelje procedurale por shton se ndryshimi i pozitës së Bajrami- Rekës nga drejtoreshë e Shëndetësisë në drejtoreshë të Shkollës “Emin Duraku” lidhet me zgjedhjet e tetorit.

“Nuk jam në dijeni nëse ka pasur ndonjë shkelje procedurale por mendojmë se ndryshimi i pozitës së drejtoreshës është bërë për shkak të frikës së humbjes së mandatit qeverisës”, tha Reka për KALLXO.com.

Konkursi për drejtor të shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” në Kaçanik është hapur në mars të këtij viti më saktësisht më datë 29.

Ky konkurs ishte anuluar pas një muaji, pra më 19 maj 2021 për t`u rishpallur pesë ditë më vonë, më saktësisht më datë 24 maj.

Komuna e Kaçanikut në faqen zyrtare ka njoftuar se në listën e ngushtë për pozitën e drejtuesit të shkollës “Emin Duraku” ishin Diana Bajrami- Reka dhe Ilire Zeneli- Raka më datë 12 korrik, muajin e kaluar.

Më 23 korrik të muajit të kaluar, Diana Bajrami- Reka është emëruar drejtoreshë e shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” në Kaçanik.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Komuna e Kaçanikut kishte njoftuar në lidhje me largimin e Bajrami- Rekës nga pozita e drejtoreshës së Shëndetësisë ndërsa e njëjta u nderua nga kryetari i kësaj komune Besim Ilazi me një mirënjohje për angazhimin e saj në komunë.

Pakënaqësitë e kundërkandidates ndaj konkursit

Diana Bajrami- Reka dhe Ilire Zeneli- Raka janë dy kandidatet që synuan pozitën e drejtueses së shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” në Kaçanik.

Ilire Zeneli- Raka është edhe mësimdhënëse në po të njëjtën shkollë ndërsa në një bisedë për KALLXO.com, shprehi pakënaqësitë e saj në lidhje me konkursin.

Sipas Ilire Raka- Zenelit, procesi i intervistimit ka qenë korrekt dhe në bazë të procedurave të parapara por, thekson se kundërkandidatja e saj ka qenë pjesë e një partie politike gjë që bie ndesh me rregulloret arsimore dhe kushtet e konkursit.

“Ajo që nuk më ka pëlqy është që siç e thotë udhëzimi një person me pozitë politike çfarë ka qenë kjo drejtoreshë nuk ka të drejtë të ushtroj funksion publik 36 muaj pasi përfundon të gjitha aktivitetet politike. Me sa kam informata ajo është pjesë e strukturës, kjo dëshmohet në zgjedhjet e parafundit kur ajo është pjesë e fushatës këto janë sene që janë publike”, thotë Raka- Zeneli.

Tutje ajo shton se Diana Bajrami- Reka që një kohë të gjatë nuk është pjesë e arsimit.

“Mendoj që ka qenë shkelje edhe se ajo është largë fushës arsimore që një kohë të gjatë, prej vitit 2016 sistemi arsimor funksionon me kurrikule të re, ajo nuk ka njohuri dhe nuk ka kry atë pjesë të kurrikulës për me marrë me udhëheq një shkollë”, shton Ilire Raka- Zeneli.

Raka- Zeneli në një postim në Facebook, ishte shprehur se aplikimi i saj nuk ishte bërë me qëllime politike ndërsa kishte shprehur brengën e saj për komisionin e formuar për këtë konkurs.

Sipas Raka- Zenelit komisionet janë formuar për të vepruar njëanshëm ndërsa me zgjedhjen e Diana Bajrami- Rekës në pozitën e drejtoreshës së shkollës “Emin Duraku” nuk është bërë zgjedhje e duhur.

Në konkursin e publikuar nga Komuna e Kaçanikut, njëra nga kushtet e aplikimit ka qenë që aplikuesi të dërgoj deklaratën në betim që vërteton se në tri vitet e fundit nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike.

Për pretendimet e Ilire Raka- Zenelit, KALLXO.com vazhdimisht ka tentuar të marrë përgjigje nga ish- drejtoresha e Shëndetësisë në Kaçanik, Diana Bajrami – Reka.

E njëjta nuk i është përgjigjur, telefonatave, emailave e as edhe mesazheve të KALLXO.com.

Në lidhje me emërimin e drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Kaçanik, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Drejtori i Arsimit.

Zahir Doda në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se Bajrami- Reka pozitën e drejtoreshës së Shëndetësisë nuk e ka ushtruar si e emëruar politike.

“Personi që synon drejtimin e një shkolle, sipas U.A. Nr. 151/20 të MASHTI-t neni 5 pika 1.7.7 duhet të plotësojë deklaratën në betim që vërteton se në tri vitet e fundit nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike. Znj. Bajrami –Reka e ka plotësuar këtë deklaratë dhe është e vërtetë që tri vitet e fundit nuk ka pasë funksion në parti politike”, tha Doda në një përgjigje për KALLXO.com.

Ai tutje shtoi se emërimi sipas tij është kryer sipas rregullave dhe pa ndonjë presion politik.

“Pozita e drejtoreshës së Shëndetësisë nuk është funksion i partisë politike ( p.sh. unë nuk jam anëtarë i asnjë partie) prandaj nuk bie ndesh me pikën e cituar më lart. Znj. Bajrami- Reka nuk ka qenë drejtpërdrejtë pjesë e arsimit qe 6.5 vite”, tha tutje Doda.

Në bazë të disa fotografive që ka siguruar KALLXO.com, Diana Bajrami- Reka ka marrë pjesë në tubimet politike të zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur në tetor të vitit 2019.

Në fotografi shihet fushata zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deri në publikim të këtij shkrimi, KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje as nga Diana Bajrami- Reka por as edhe nga kryetari i komunës Besim Ilazi se cila ishte pozita e tani drejtoreshës së shkollës “Emin Duraku” në Kaçanik, në atë vit.

Në anën tjetër në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e drejtorit të Arsimit në Kaçanik, Zahir Doda.

“Askund nuk kam thënë që znj. Bajrami- Reka nuk është anëtare e PDK-së, por nuk ka pasë post udhëheqës në parti. Në udhëzim kjo kërkohet dhe askund nuk thuhet që nuk duhet të jetë anëtarë i ndonjë subjekti politik se përndryshe do të mbetemi pa drejtor”, tha Doda.

KALLXO.com në debatin për Komunën e Kaçanikut të datës 26 tetor 2020, i pati përmendur kryetarit Besim Ilazi gjetjet e hulumtimit për anëtarët e PDK-së të cilët ishin pozicionuar në disa drejtori të shkollave në Kaçanik.

“Po mund të ndodh, a duhet me i përjashtu tash krejt të PDK-së?. 20 janë pranuar në atë konkurs munden me dalë 4-5 të PDK-së, se edhe ashtu e kam përqindjen në Kaçanik 45% të PDK-së, tash a me i përjashtu militantët e PDK-së pse janë militantë a?”, kishte thënë Ilazi.