Përkeqësohet moti, uji pushton ambientet e Bibliotekës Kombëtare 

Përkeqësimi i motit i përcjellë edhe me reshje, ka risjellë depërtimin e ujit në ambientet e brendshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Për shkak të reshjeve vikendin e kaluar ujin kishte depërtuat brenda objektit të kësaj biblioteke, në zyre, korridore dhe sallat e leximit.

Punëtorët e bibliotekës janë në gjendje gatishmërie sa herë ka reshje, sidomos të shiut, duke vendosur kova dhe gjësende të ndryshme në vendet ku pikon uji nga tavani i bibliotekës. Pasi, pas çdo reshje ata janë të vetëdijshëm se mund të ketë depërtim të ujit brenda hapësirave të bibliotekës.

Shkas për depërtimin e ujit brenda objektit të bibliotekës është bërë renovimi i kulmit të saj, i cili nuk pritet të përfundojë deri në mesin e vitit tjetër.

Sipas menaxhmentit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, depërtimi i ujit nuk ka rrezikuar fondin librar të kësaj biblioteke, pasi deri më tani uji ka depërtuar vetëm në katet nën kulmin e objektit të bibliotekës.

Fazli Gajraku, drejtor i BK, “Pjetër Bogdani”, ka thënë për Kallxo.com, se menaxhenti ka marrë të gjitha masat për të larguar ujin pas depërtimin nga kulmi.

Gajraku ka thënë se sasia e ujit që po depërton brenda hapësirave gjatë reshjeve po vjen duke u zvogëluar, duke pasur parasysh, sasinë e ujit që kishte depërtuar gjatë reshjeve të para pas fillimit të renovimit.

“Pas çdo reshje të ardhshme sasia e ujit që ka depërtuar në hapësirat e brendshme të bibliotekës ka qenë më e vogël, dhe po vjen duke u pakësuar. Kemi formuar ekipe të cilat gjatë reshjeve inspektojnë objektin për të larguar ujin pasi depërton brenda. Kemi marrë premtime nga kompania që po kryen punime se do të marrë masa për të sanuar problemet me rrjedhjen e ujit brenda”, ka thënë drejtori Gajraku.

Sipas tij, koleksioni librar dhe i materialeve tjera që ruhen në bibliotekë nuk është prekur nga uji dhe nuk ka rrezik nga depërtimi i ujit deri te koleksionet.

Renovimi i kulmit të BK “Pjetër Bogdani”, është duke u bërë nga konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK”.

Gjithë puna për renovimin e kulmit të kësaj biblioteke pritet të kalojë shumën prej 208 mijë euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për depërtimin ujit brenda ambienteve të Bibliotekës Kombëtare.

Foto pas depërtimit të ujin në BK “Pjetër Bogdani”.