Përjashtohet publiku në seancën ndaj Enver Sekiraqës

Është përjashtuar publiku në seancën gjyqësore ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, kur pritet të dëgjohen si dëshmitare, motrat Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili.

Sipas vendimit të gjykatës për mbyllje të seancës, nga salla u largua i gjithë publiku përveç zyrtarëve të EULEX-it të cilët vazhduan të qëndronin në gjykatore.

Propozimin për këtë e bëri avokati, Alban Makolli si përfaqësues i dëshmitarëve Adelina, Ema dhe Zanfina Ismajli të cilat janë paraparë që të dëgjohen në këtë seancë.

Sipas avokatit Makolli mbyllja e seancës duhet bërë me qëllim të mbrojtjes së integritetit dhe jetës private personale dhe familjare të këtyre dëshmitareve.

Për këtë propozim nuk pati kundërshtime nga palët tjera dhe trupi gjykues të njëjtin e aprovoi.

Seanca u mbyll edhe në fillim të seancës pas propozimit të Prokurorit Special Haki Gecaj për dëgjimin e dëshmitarit D2.

Trupi gjykues vendosi që të dëgjohet më detajisht ky propozim i prokurorit ashtu që e përjashtoj publikun për atë moment, ndërsa pas disa minutave për publikun u hap seanca sërish dhe u kuptua se dëshmitari D2 nuk do të dëgjohet në këtë seancë.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht të vitit 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Në procesin e tij një varg personalitetesh VIP kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës.
Në një intervistë për “Drejtësia në Kosovë” pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa kishte përmendur disa prej strukturave të UÇK-së.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.