Foto-ilustrim

Përjashtohen monitoruesit nga seanca ndaj Goran Stanishiqit, i akuzuar për krime lufte

Në seancën e paraparë ndaj të akuzuarit Goran Stanishiq, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj i ka përjashtuar monitoruesit nga salla.

Arsyeja e përjashtimit të monitoruesve nga kjo seancë është për shkak se gjatë raportimit nga seanca e kaluar  janë publikuar emrat e dëshmitarëve e gjyqtari i rastit kishte kërkuar që emrat e tyre të mos publikohen, pasi që ashtu do të arrihej identifikimi i dëshmitarit të mbrojtur.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999 si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F.B., Z.G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.

KALLXO.com raportoi nga seanca e kaluar e këtij gjykimi.