Foto: ZKM

Përjashtimi nga “Defender Europe 23”, Kurti: Nuk është në rregull të ngacmohet Kosova

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë përjashtimin e Kosovës nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.

Ai në një intervistë për gazetën “Bloomberg”, duke komentuar këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se “nuk është në rregull të ngacmosh Kosovën”.

“Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar.

Teksa ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, Kurti ka përsëritur se një republikë demokratike nuk mund t’i nënshtrohet milicisë së dhunshme të Serbisë.

“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj”, ka thënë ai.

“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme,” tha ai. “Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka shtuar kryeministri.

Gati dy vjet Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpenzuan për t’u bërë gati për stërvitjen “Defender Europe ‘23”.

Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Ky është ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Në këtë zonë, tash e mbi dy javë banorët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit u përleshën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan. Dhjetëra njerëz në të dyja anët mbetën të plagosur. /Telegrafi