Vendi i ngjarjes nga plagosja e vrasja në Aktash, Foto Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Periudha janar- shtator shënon 14 vrasje, policia identifikon edhe rritje në rastet e dhunës në familje

Nga një takim i cili u mbajtë më Prishtinë,  më 9 nëntor 2024 mes drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me drejtorët e departamenteve, ata të drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve policore, u folën e u diskutuan të dhënat nga raporti 9 mujor pra periudha janar- shtator në lidhje me veprat penale që janë regjistruar.

Në takimin e 08.11.2024 të drejtorit të përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha
me drejtorët e departamenteve, drejtorët e drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve
policore, Foto: Policia e Kosoves

Policia ka njoftuar se numri i rasteve që regjistruar në 9 mujorin e këtij viti është 35 mijë e 818 raste.

Numri i rasteve të regjistruara ka shënuar ulje për dallim nga viti i kaluar. Përgjatë periudhës së njëjtë janar- shtator të vitit 2023 ishin regjistruar 36 mijë e 263 raste.

Edhe për numrin e veprave penale policia ka njoftuar se ka pasur ulje nga 20 mijë e 417 në 20 mijë e 311.

Numri i vrasjeve ka pasur rënie, nga 25 sa janë regjistruar vitin e kaluar këtë vit janë shënuar 14 vrasje.

Veprat penale lëndim i rëndë trupor në periudhën janar- shtator të këtij viti ka pasur katër raste më pak se sa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pra në këtë periudhë kohore janë regjistruar 163 raste të lëndimit të rëndë trupor.

Te vepra tjetër penale ajo e lëndimit të lehtë trupor, në vitin 2024 janë shënuar 1 mijë e 996 raste ndërsa në vitin paraprak 2 mijë e 11 raste.

Edhe për vjedhjet, policia ka thënë se ka rënie të kësaj natyre të veprave penale. Nga 3 mijë e 134 sa janë raportuar vitin e kaluar, këtë vit numri është 2 mijë e 825.

Ngjashëm edhe për vjedhjet e rënda. Në janar- shtator 2023 kanë qenë të regjistruara 2 mijë e 82 raste ndërsa këtë periudhë të vitit 2024 1 mijë e 592.

Përgjatë 9 muajve të vitit 2024 janë regjistruar 57 grabitje. Tetë më shumë ishin raportuar vitin e kaluar.

Rastet e dhunës në familje kanë pasur rritje në raportim për 4.4 përqind. Nga 1 mijë e 897 sa janë regjistruar në vitin 2023, në periudhën janar- shtator janë regjistruar 1 mijë e 981.

Statistikat sa i përket sigurisë në trafikun rrugor sipas njoftimit, numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie nga 17 mijë e 424, në 17 mijë e 5. Numri i aksidenteve me dëme materiale, ka shënuar rënie nga 10 mijë e 889, në 10 mijë e 795, numri i aksidenteve me lëndime, ka shënuar rënie nga 6 mijë e 459, në 6 mijë e 145.

Në periudhën janar- shtator 2023 ishin regjistruar 76 aksidente me fatalitet ndërsa periudhën e njëjtë të këtij viti janë regjistruar 65.

Numri i armëve që janë konfiskuar nga policia gjatë 9 muajve të vitit 2024, është 1 mijë e 186.