Shkolla Fillore "Hasan Prishtina", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Periudha e dytë, mësimi në të gjitha shkollat u zhvillua me prani fizike

Të gjithë nxënësit e Kosovës sot iu kthyen bankave shkollore pas pushimit dimëror.

Nga ana Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se perioda e dytë ka filluar me prani fizike dhe orar të plotë në të gjitha shkollat në Kosovë.

“Në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë, sot ka filluar periudha e dytë e vitit shkollor 2021-2022 dhe sipas raporteve të ardhura nga komunat në MAShTI, në të gjitha shkollat mësimi është zhvilluar sipas skenarit Rikthimi, pra me prani fizike në shkolla dhe me orar të plotë”, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

MAShTI ka shtuar se janë në dispozicion edhe mundësitë e tjera të mësimit, në mënyrë që të mund të zbatohen edhe skenarët e tjerë të paraparë me Udhëzuesin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID–19, në rast se paraqitet nevoja.

“MAShTI iu bën sërish thirrje nxënësve, mësimdhënësve, personelit tjetër shkollor dhe prindërve që të bashkëpunojnë dhe të zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për mbrojtje nga pandemia, në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura përgjatë gjithë vitit shkollor”, thuhet më tej.

Ministria e Arsimit dje ka njoftuar se “task forcat” në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

Drejtoritë komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKShPK.

Viti i ri shkollor këtë vit ka filluar me katër skenare.

Skenari i ‘Rikthimit’ që parasheh mësimi të zhvillohet me prezencën fizikisht të të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe.

Skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.