Përhapja e COVID-19 te stafi shëndetësor, shifrat e fundit të infektimeve

Numri i mjekëve të infektuar me pandeminë e coronavirusit është rritur, nga 710 sa ishin të infektuar në muajin nëntor 2020, tani rezultojnë të infektuar 1168 mjekë, 120 prej tyre raste aktive.

Oda e Mjekëve të Kosovës konfirmon për KALLXO.com se mbi 3300 punëtorë shëndetësor janë  infektuar me SARS-CoV-2.

“1168 prej tyre janë mjekë, 18 mjekë kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19, të cilët kanë qenë aktivë në dhënjen e shërbimeve shëndetësore”, thotë OMK.

Oda gjithashtu njofton se 120 mjekë janë ende pozitiv dhe janë në trajtim shtëpias apo spitalor.

Drejtori i Spitalit Regjional të Ferizajt, Jeton Zeqiri, në një përgjigje për KALLXO.com tha se aktualisht në këtë spital janë të infektuar dy mjekë dhe katër infermierë.

Në këtë spital aktualisht janë duke u trajtuar 32 pacientë, 30 prej të cilëve janë nën asistim me oksigjeno -terapi ndërsa një pacient tjetër është në maskën CPAP, maskë e cila ndihmëon pacientët të cilët kanë probleme më të theksuar me frymëmarrje.

Mjekë të infekuar rezultojnë edhe në spitalin rajonal të Gjilanit.

Nisret Hajrullahu, drejtor i spitalit, tha për KALLXO.com se aktualisht të infektuar me coronavirus është një mjekë dhe tre nga stafi ndihmës.

Hajrullahu, gjithashtu tha se 39 pacientë janë të hospitalizuar, prej tyre 23 janë me oksigjeno -terapi si dhe tre me maskën CPAP.

Infektimi i mjekëve me COVID-19 ndikon në shërbimin për qytetarët

Tash e dhjetë muaj mantelbardhët janë vija e parë e frontit që nga fillimi i pandemisë globale SARS-CoV-2, duke u dal në ndihmë të infektuarve.

Nga OMK thonë se numri i lartë i mjekëve të infektuar me pandeminë e coronavirusit është duke ndikuar negativisht në shërbimin e qytetarëve.

“Ky numër i madh i të infektuarëve në mesin e  komunitetin tonë, ndikon ndjeshëm në dhënjen e shërbimeve sidomos në aspektin sasior”, thonë nga OMK.

Nga pandemia e coronavirusit në Kosovë që nga 13 marsi janë infektuar mbi 57 mijë qytetarë, mbi një mijë prej tyre kanë vdekur ndërsa mbi 50 mijë janë shëruar.

Mbi 5 mijë raste janë ende aktive me SARS-CoV-2.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.