Policia

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Përgatitja e vrasjes, gjykata vendos për të arrestuarit

Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale veprime përgatitore për vrasjen e rëndë, veprën penale Detyrim, veprën penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe veprën penale Zjarrëvënja, këto janë veprat penale për çka edhe Gjykata në Prishtinë ka vendosur që të dërgoj në paraburgim tre personat Q.E., M.D., dhe L.D., të arrestuar ditë më parë në Pejë e Prishtinë.

Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se ka vendosur masën e sigurisë ndaj të dyshuarve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 31.01.2025, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Q.E., M.D. dhe L.D., ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas njoftimit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse të pandehurit Q.E., M.D. dhe L.D., lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale.

“Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në prova, po ashtu mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”- thuhet tutje në njoftim.

Policia e Kosovës ka njoftuar më 30.01.2025, se i ka arrestuar katër të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së një personi.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në Pejë dhe Prishtinë gjatë vitit 2024 dhe 2025.

Policia i ka zënë në flagrancë të dyshuarit, duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Si rrjedhojë, të dyshuarve u janë sekuestruar armë e municion.

“Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve, në katër lokacione të ndryshme, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme, si dhe disa dëshmi të tjera të rëndësishme.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.01.2025.

Policia njofton se, me vendim të Prokurorit, pas intervistimit tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, rasti është inicuar si: “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar dhe detyrim”.