Përfundon votimi për zgjedhjen e këshillave të fakulteteve dhe anëtarëve të Senatit të UP-së

Në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është votuar për anëtarë të këshillave të fakulteteve dhe për senatorë të Senatit të UP-së.

Të drejtë vote ka pasur edhe administrata qendrore e UP-së për përfaqësuesit e saj.

KALLXO.com ka monitoruar një pjesë të këtyre zgjedhjeve dhe ka vizituar nga afër këto fakultete.

Zgjedhjet për pjesëmarrës në këshilla të fakulteteve nuk u mbajtën në të gjitha fakultetet e UP-së pasi që në disa prej tyre numri i profesorëve është nën 30, kuotë kjo e paraparë për anëtarësim në këshill.

Në këto zgjedhje kanë qenë 52 kuti në vendvotime në të gjitha fakultetet e UP-së.

Procesi zgjedhor ka filluar në ora 8:00 të mëngjesit dhe ka përfunduar në ora 16:00.

Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi, ka bërë të ditur për KALLXO.com se votimi ka përfunduar me kohë në të gjitha fakultetet dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi.

“I gjithë procesi i votimit është mbyllur në ora 16:00, deri tani i kanë dërguar raportet dy fakultete, ai i Edukimit Fizik dhe Sportit dhe i Inxhinierisë Mekanike si dhe rezultatet e administratës qendrore për anëtar të Senatit. Nuk kemi raportim për ndonjë parregullsi dhe i gjithë procesi ka shkuar në rregull”, tha Kelmendi.

Në këtë tabelë mund të shihni organizimin e votimit  të sotëm sipas kategorisë së organeve dhe statusit të personelit për secilën njësi akademike dhe administratës qendrore:

Rezultatet preliminare për këto zgjedhje do të publikohen nesër nga UP dhe mund të mbahet votimi i dytë nëse në disa fakultete kandidatët nuk kanë marrë shumicën e votave.

Pas kësaj, nga 3 korriku deri më 6 korrik është periudha e ankesave si dhe më 7 korrik do merret vendimi për këto ankesa dhe do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare për anëtarët e këshillave të fakulteteve dhe senatorë.

Më 9 korrik do të mbahet mbledhja konstituive e këshillave të fakulteteve ku do të bëhet nënshkrimi i deklaratës etike si dhe zgjedhja e kryesuesit të përkohshëm, e cila do t’i hapë rrugë përzgjedhjes së dekanëve të 14 fakulteteve të UP-së.

Pas përzgjedhjes së dekanëve do të bëhet edhe zgjedhja e rektorit të UP-së më 29 korrik. Më 1 tetor 2020 parashihet që të fillojë zyrtarisht ushtrimi i mandateve për strukturat e mandatuara nga zgjedhjet e UP-së.