Përfundon takimi VV – LDK, 'ka afrim' por jo marrëveshje

Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar sonte në kuadër të bisedimeve për një koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për mandatin e ardhshëm por nuk kanë arritur një marrëveshje.

Zyrtarë të partive kanë thënë se ka afrime në qëndrime ndërsa kanë lënë takim sërish nesër.

“Ishte një takim shumë i rëndësishëm në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për koalicionin qeverisës”, tha Glauk Konjufca i VV-së pas takimit.

“Takimi i nesërm nuk do të ndodhte sikur pozicionet tona të mos afroheshin. Unë shoh që ka një gatishmëri prej të dyja palëve që marrëveshja të arrihet dhe që kjo të arrihet para datës së konstituimit të Kuvendit”, shtoi ai.

“Takim i gjatë por mjaft konstruktiv… Jemi dakorduar që t’i vazhdojmë takimet në baza ditore derisa t’i përmbyllim diskutimet”, tha Avdullah Hoti nga LDK.