
Foto: Volodymyr Zelensky / facebook
Përfundon takimi SHBA-Rusi pa Ukrainën, por Moska ka kërkesë të re për Ukrainën
Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë zhvilluar bisedime për më shumë se katër orë në Riad të martën, më 18.02.2025, të parat ndërmjet tyre për dhënien fund luftës në Ukrainë, teksa Kievi dhe aleatët e tij europianë e shikuan me ankth prej anash në kohën kur Moska shtroi një kërkesë të re të rëndësishme – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Agjencia e lajmeve Interfax ka cituar kryenegociatorin rus, Yuri Ushakov të ketë thënë se bisedimet shkuan mirë dhe se u diskutuan kushtet për një takim midis presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Ushakov ka thënë se Samiti nuk ka gjasa të zhvillohet javën e ardhshme. Por, bisedimet në kryeqytetin saudit spikatën ritmin e shpejtë të përpjekjeve të SHBA-së për ndaljen e konfliktit, më pak se një muaj pasi Trumpi mori detyrën dhe gjashtë ditë pas bisedës së tij telefonike me Putinin.
Dhe ndërsa takimi po zhvillohej, Rusia sinjalizoi rritjen e kërkesave.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka deklaruar para gazetarëve në Moskë se “nuk mjafton” që NATO-ja të mos anëtarësojë Ukrainën. Ajo ka thënë se aleanca duhet të shkojë më tej duke hequr dorë prej premtimit që e dha në Samitin e Bukureshtit më 2008, se Kievi do të bashkohej në një datë të ardhshme, të papërcaktuar.
“Përndryshe, ky problem do të vazhdojë të helmojë atmosferën në kontinentin europian.” – ka deklaruar ajo. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga anëtarët e NATO-s, apo nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht anëtarësimin në NATO si e vetmja mënyrë për të garantuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kievit nga fqinji i tij me armë bërthamore.
Ai dhe liderët europianë janë të shqetësuar se Trump mund të arrijë Marrëveshje të nxituar me Moskën që injoron interesat e tyre të sigurisë, shpërblen Rusinë për pushtimin e saj dhe ia lë të lira duart Putinit të kërcënojë Ukrainën ose vende të tjera në të ardhmen.
Kritikët thonë se ekipi i Trumpit, duke përjashtuar anëtarësimin në NATO të Ukrainës dhe duke thënë se dëshira e Kievit për të rikthyer gjithë territorin e humbur është iluzion, ka bërë lëshime të mëdha paraprakisht. Zyrtarët amerikanë thonë se thjesht po e pranojnë realitetin.
Ukraina thotë se asnjë Marrëveshje paqeje nuk mund të bëhet në emër të saj. “Ne, si një vend sovran, thjesht nuk do të jemi në gjendje të pranojmë asnjë Marrëveshje pa ne.” – ka deklaruar Zelensky, javën e kaluar.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com