Përfundon takimi, qeveria jep detaje për takimin me KFOR-in dhe EULEX-in

Kryeministri Kurti ka pritur në takimin Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark për të diskutuar për situatën e fundit në veri dhe barrikadat e vendosura në disa prej rrugëve kryesore në 4 komunat e veriut.

Në këtë takim, sipas njoftimit të Qeverisë u fol për veprimet e strukturave kriminale në veri.

“Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend” – thuhet në komunikatën e qeverisë.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë” – thuhet tutje në njoftimin e qeverisë mbi takimin.

Palët janë dakorduar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional në shërbim të paqes dhe sigurisë.

“Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it” – thuhet në njoftim.

“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës” – përfundon komunikata e qeverisë.