Përfundon takimi në Ambasadën Amerikane për Asociacionin, s'flasin zyrtarët qeveritarë dhe opozitarë

Ka përfunduar takimi ku është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nikoqire i të cilit ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Pjesëmarrës të takimit të cilët janë parë duke dalë nga takimi ishin ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendës kryeministrja Donika Gërvalla, Lutfi Hziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bernard Nikaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe përfaqësues të Listës Serbe.

Asnjëri nga këta pjesëmarrës nuk është deklaruar për media.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë me ngulm që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, një marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë në kuadër të dialogut Kosovë Serbi të nisur më 2011.

Ambasada amerikane në Prishtinë, thirri për të martën në mesditë një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, siç thonë për të dëgjuar perspektivat për Asociacionin, ndërsa në po të njëtën kohë u thirr një protestë në Prishtinë për ta kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit.

Dy zyrtarët amerikanë –  Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tyre, zotimi i Kosovës për ta krijuar AKS-në, nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk cënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj” – shprehen zyrtarët amerikanë.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Themelimi i Asociacionit është përmendur edhe në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

‘Presion’ për Asociacion