Përfundon seanca për masën e sigurisë për 6 zyrtarët policorë, të arrestuar pas incidentit ku u vra një polic

Para pak minutave ka përfunduar seanca për masën e sigurisë për 6 zyrtarë policorë të cilët janë arrestuar në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur dy net më parë në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Prokurorja Besa Limani për KALLXO.com ka konfirmuar se ka kërkuar masën e paraburgimit për të njëjtit.

Ajo shtoi se nuk ka ndonjë vendim deri më tani.

“Po besoj që as gjyqtari nuk ka ende ndonjë vendim pasi që janë shumë persona”, tha Limani për KALLXO.com.

Prokurorja nuk dha detaje të tjera në lidhje me ndjekjen penale të zyrtarëve policorë pasi tha se rasti ende është duke u trajtuar dhe është në fillim.

Në anën tjetër, një zyrtar policor sipas Inspektoratit Policor të Kosovës është arrestuar për vrasje, e pesë të tjerë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Kujtojmë se të premten në mbrëmje një zyrtar policor është vrarë ndërsa i dyshuari për këtë vepër është një koleg i tij.

Ngjarja tragjike u raportua të ketë ndodhur pas orës 23:00 të premtën ku nga zyrtarët policorë kishte pasur gjuajtje me armë në ndejën që kishin organizuar.

Njëri nga plumbat që ishte shkrepur kishte plagosur fillimisht policin L. Haxholli, i cili më pas ishte dërguar në Emergjencë por nuk kishte arritur t’i bëjë ballë plagës dhe vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar në QKUK.

Nëntë zyrtarë të tjerë policorë që kanë qenë prezent në ndejën e organizuar të premten në mbrëmje janë suspenduar me rekomandim të IPK-së.

KALLXO.com raportoi mbrëmë edhe se 14 armë zyrtare janë sekuestruar dhe do të dërgohen për ekzaminim.

14 armë zyrtare të policëve sekuestrohen pas ngjarjes së rëndë në Zllatar