Foto: KALLXO.com

Përfundon seanca ndaj zyrtarëve policorë të arrestuar për disa vepra penale - VIDEO

Që nga ora 10:00 në mëngjes ka nisur seanca ndaj 50 zyrtarëve shtetërorë, 48 policë kufitar e 2 doganierë.

Më shumë se 7 orë ka zgjatur seanca për caktimin e masës se sigurisë, kërkesë kjo që u bë nga Prokuroria Speciale.

Dy seanca të ndara në dy salla të ndryshme u mbajtën seancat me dy grupet e zyrtarëve policorë dhe doganierëve, që u arrestuan dje e që po dyshohen për krim të organizuar, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka qëndruar gjatë gjithë ditës në objektin e Pallatit të Drejtësisë për të parë nga afër zhvillimet në lidhje me këtë rast.

Në oborrin e pallatit në vazhdimësi kanë qëndruar edhe familjarë të shumtë të zyrtarëve policorë të arrestuar dje nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për të siguruar mbarëvajtjen e seancës në vazhdimësi brenda objektit të gjykatës, por edhe në oborr u panë hetues të IPK-së.

Këta të fundit, para orës 10:00 në mënyrë të organizuar dhe nën përcjellje sollën të gjithë zyrtarët e dyshuar për korrupsion në objektin e gjykatës për të mbajtur edhe seancën për masën e sigurisë.

Prokuroria Speciale, specifikisht prokurorët special Habibe Salihu dhe Ilir Morina kanë kërkuar që ndaj policëve të dyshuar për korrupsion të shqiptohet masa e paraburgimit për 30 ditë.

KALLXO.com po raporton vazhdimisht për këtë çështje.

 

48 policët e arrestuar dalin para Gjykatës – Pamje