Përfundon rrethrrotullimi i ri në rrugën Prishtinë-Klinë-Pejë

Kanë përfunduar punimet në rrethrrotullimin në rrugën Prishtinë-Klinë-Pejë.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka deklaruar se ky udhëkryq ka qenë shumë problematik, si për qarkullim të veturave e po ashtu, sipas tij, janë shkaktuar shpesh aksidente.

Elezaj përmes një postimi në “Facebook”, ka deklauar se kolonat e mëdha të makinave që grumbulloheshin në këtë pjesë e sidomos në kohë të pikut të ardhjes së bashkatdhetarëve tashme do te jenë më të vogla, pasi që sipas tij, ky rrethrrotullim e ka lehtësuar në masë të madhe komunikacionin e po ashtu ka ulur aksidentet ne minimum.

“Bashkë me komandantin e policisë në Klinë, Ragip Bytyqin, sot kemi parë nga afër punimet e realizuara në rrethrrotullimin në rrugën Prishtinë – Klinë – Pejë, dhe kemi përcjellur respektimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrje-daljeve në qytet”, theksoi Elezaj, pasi që të kjo komunë është në karantinë për shkak të rasteve të konfirmuara që nga 13 marsi.

Ndërkaq, bëhet e ditur se realizimi i këtij projekti është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa punimet janë kryer nga kompania “Graniti” nga Istogu.