Përfundon rigjykimi ndaj Shukri Bujës dhe të tjerëve në rastin 'Feronikeli'

Ka përfunduar rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, si dhe tetë të akuzuarve tjerë.

Në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare, me ç’rast Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarave, kurse mbrojtësit lirim nga akuza.

Prokurori special, Agron Bajrami  në fjalën përfundimtare tha se shkeljet që janë evidentuar nga Gjykata e Apelit kur e kishte kthyer këtë rast në rigjykim, nuk kanë pasur të bëjnë me të akuzuarit në këtë rast.

“Nuk është kontestuese se edhe tani në rigjykim, u vërtetua nga provat e administruara se të dëmtuara në këtë çështje, janë AKP dhe Komuna e Lipjanit. Shuma e dëmit e shkaktuar tani të dëmtuarave është e precizuar qartë dhe se e njëjta është derivat i vendimeve të kundërligjshme të nxjerra nga tani të akuzuarit”, tha prokurori Bajrami.

Ndërsa sa i përket kompensimin të dëmit, i njëjti shtoi se kjo gjykatë ka udhëzuar të dëmtuarit që dëmin ta realizojnë në procedura tjera gjyqësore, ndërsa sa i përket parashkrimit absolut eventual në ndonjë pikë të aktakuzës, prokurori Bajrami i propozojë gjykatës që të nxjerrë aktgjykim refuzues lidhur me pikën për të cilën mund të ekzistojë ky parashkrim eventual.

Me propozimin e prokurorit u pajtua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), avokati Naim Gjikolli.

Kurse mbrojtësi i Shukri Bujës, avokati Arianit Koci, u deklarua se nuk e ka të përgatitur fjalën përfundimtare, dhe kërkoi nga gjykata që t’i jepet kohë së paku një javë.

Mirëpo kjo kërkesë nga ana e trupit gjykues është refuzuar.

Ndërsa në mungesë të provave i akuzuari Halit Gashi kërkoi nga gjykata të sjellë aktgjykim lirues ndaj tij.

“Mbetem pranë fjalës që kam dhënë në gjykimin e parë. Pas të dhënave të prezantuara si prova nga ana e Shukri Bujës, konsideroj se pretendimet e prokurorisë lidhur me veprën penale nuk ka objekt, nuk ka dëm të shkaktuar, nuk ka përfitime nga vepra për të tjerët, rrjedhimisht nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha i akuzuari Halit Gashi

Kurse edhe e akuzuara Magbule Sadiku, kërkoi lirim nga akuza duke shtuar se me ngritjen e aktakuzës ndaj saj, gjatë këtyre katër vite ka pësuar shumë dëm.

“Shkaku i kësaj aktakuze kam pësuar shumë  dëm, pasi që ka katër vite që jam pezulluar nga vendi i punës si dhe nuk më është  dhënë mundësia që të krijojë marrëdhënie të reja të punës në ndonjë vend tjetër e as që të avancohet profesionalisht”, u shpreh Sadiku.

Ndërsa  mbrojtësi i të akuzuarit Fahri Retkoceri, avokati Ramë Gashi tha se në muajin gusht të këtij viti, ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Ndërsa edhe mbrojtësit e tjerë kërkuan nga gjykata lirimin nga akuzat për klientët e tyre.

Vlen të ceket se para se të jepej fjala përfundimtare, trupi gjykues e refuzoi kërkesën e të akuzuarit Shukri Buja, për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra.

“Hudhet kërkesa për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, bazuar në nenin 42, paragrafi 4, meqenëse e njëjta nuk është përpiluar konform nenit 41, paragrafit 5, të KPRK-së”, tha gjykatësi Kalludra.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datën 18 shtator.

Në këtë rast, bashkë me Shukri Bujën akuzohen edhe Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Bajram Rizani, Edmond Rexhepi, Fahri Vishesella, Driton Avdiu, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra.

Kurse është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Nehbi Zeqiri, sepse i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë pëfiituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.