Përfundon rigjykimi ndaj ish doganierëve, të akuzuar për marrje ryshfeti

Ka përfunduar rigjykimi ndaj ish-doganierëve A. K. dhe B. P., të akuzuar për marrje ryshfeti, dhe L. B., H. L. të akuzuar për dhënie ryshfeti.

A. K., B. P., L. B. dhe H. L., edhe në këtë proces të shqyrtimit gjyqësor u deklaruan të pafajshëm.

Kurse është dhënë edhe fjala hyrëse, ku prokurori i shtetit Rafet Halimi deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 02.07.2019.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit A. K., avokati B. B., tha se në këtë proces gjyqësor do të vërtetohet se klienti i tij as nuk ka marrë, as nuk ka dhënë ryshfet.

“Është për keqardhje që klienti im është në këtë procedurë, për të cilën jo vetëm vërejtjet e Gjykatës së Apelit që vijnë si rezultat i ankesës në gjykimin paraprak, por edhe provat e dorëzuara për administrim, do të vërtetojnë se procedura e zhdoganimit në këtë rast nuk kishte të bënte me tejkalimin e kompetencave. Do të vërtetohet se A. K. asnjëherë nuk ka pranuar, as kërkuar ryshfet”, tha ai.

Ndërkaq avokatët Florent Latifaj dhe Alban Makolli, deklaruan se mbesin pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Më pas është dëgjuar edhe një herë dëshmitari F. N., i  cili dëshmoi në lidhje me procedurën e zhdoganimit, dhe detyrat e secilit prej zyrtarëve të cilët janë të akuzuar në këtë proces gjyqësor.

Në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare, me ç’rast prokurori Halimi theksoi se gjatë administrimit të provave është vërtetuar në mënyrë të plotë se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërkaq Besnik Berisha, mbrojtësi i A. K. kërkoi nga gjykata lirim nga akuza për klientin e tij.

“Gjithçka që u tha e që u administrua sot edhe në shqyrtimet e mëhershme vërtetojnë se A. K., as nuk e ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, as nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij, e as nuk ka kërkuar ryshfet”, tha avokati Berisha.

Ndërsa edhe mbrojtësit e tjerë deklaruan se në mungesë të provave, Gjykata duhet të sjellë aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre.

Vlen të theksohet se prokurori i rastit Rafet Halimi, bëri ri-cilësimin e veprës penale për të pandehurin L. B. nga vepra penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ në veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’.

Kurse shpallja e aktgjykimit do të bëhet më datë 22 shtator.

Kujtojmë se më 7 shtator 2019, gjykata dënoi dy ish-doganierët K. dhe P. me nga 6 muaj burgim me kusht dhe nga 4 mijë euro dënim me gjobë.

Ndërsa L. B. dhe H. L. për dhënie ryshfeti ishin dënuar me gjobë me nga 4 mijë euro, kurse Isak Luta ishte liruar nga akuza për dhënie ryshfeti.

Me ankesën e avokatëve Alban Makolli, Besnik Berisha e Florent Shala, lënda kishte shkuar në gjykatën e shkallës së dytë për vendosje.

Apeli më 12 dhjetor 2019, mori vendim me të cilin e prishi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmbante shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë ishte kundërthënës me arsyetimin e tij, po ashtu gjykata nuk kishte arsyetuar pse disa fakte i ka marrë si të vërtetuara, se provat nuk ishin vlerësuar veç e veç dhe në përputhje me njëra tjetrën.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e saj, seanca e radhës u caktua për datën 17 korrik ora 13:30.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit A. K. dhe B. P. në nëntor të vitit 2015 kishin kërkuar dhe marrë shumën prej 450 euro si ryshfet nga I. L., i cili ishte dërguar nga H. L.

Ky ryshfet, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në mënyrë që malli të mos ekzaminohej sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës. Kjo pasi që Dogana e Kosovës kishte vërejtur gjatë ekzaminimit të mallit të H. L., i cili ishte sjellë për t’u zhdoganuar, se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, siç kishte deklaruar H. L., por edhe mall të ri.

Ndërsa L. B., pronar i firmës “Euro Joni Kosova”, sipas Prokurorisë kishte biseduar vazhdimisht me B. P. dhe H. L. duke e bindur atë që t’i japë ryshfetin prej 450 euro zyrtarëve doganorë me qëllim që malli të zhdoganohej.

(Shënim nga Redaksia e KALLXO.com – Të akuzuarit janë shpallur ta pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë, prandaj emrat e të akuzuarve janë kthyer në iniciale me kërkesën e tyre, pasi Kallxo ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për një kërkesë të tillë. Koha e editimit të shkrimit 11:46 – 28.12.2023).

Dështoi seanca e rigjykimit për marrje ryshfeti ndaj ish doganierëve