Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përfundon procesi i hartimit të Hartës Zonale të Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një konference për media ka njoftuar se ka përfunduar hartimi i Hartës Zonale dhe tashmë ky dokument pret aprovimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Nga qytetet më të mëdha, Prizreni është qyteti i parë që ka bërë Hartën Zonale. Ne e kemi publikuar hartën në web faqe dhe tash ajo do të shkojë në ministri për aprovim dhe më pas, pas aprovimit do të kthehet përsëri në Asamblenë Komunale. Ne i kemi mbajtur 13 dëgjime publike me qytetarët ku shpeshherë kemi dëgjuar kërkesat e tyre”, ka thënë Haskuka.

Më tej Haskuka ka thënë se sot ka dalë në diskutim publik rregullorja për parkingjet për shkak të kaosit që e ka Prizrenit me këtë fushë.

Më tej ai ka shtuar se rregullorja tjetër është për shfrytëzimin e hapësirave publike me objekte të përkohshme.

Haskuka ka ftuar qytetarët dhe sidomos bizneset që të marrin pjesë në diskutimet publike dy javore duke shtuar se bizneset të japin  komente tash në dëgjime publike e mos të shkojnë në komunë pasi të përfundojë dëgjimi publik

Beni Kizolli nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se në Hartën Zonale nuk është përfshirë Qendra Historike e Prizrenit pasi tashmë ekziston Ligji për Qendrën Historike.

Kizolli ka shtuar se dy rregulloret e tjera do të paraqiten më hollësisht në hapjen e debateve publike.

“Javën e ardhshme do ta dërgojmë për aprovim në ministrinë përkatëse. Qendra Historike në Hartën Zonale nuk është trajtuar për shkak se tashmë ekziston Ligji për Qendrën Historike. Problemi më i madh i komunës është shpronësimi që është marrë për rrugë, ku kemi paraparë bonus në mënyrë që t’i eliminojmë këto pengesa. Rregullorja për parkingje dhe objektet e përkohshme ku përfshihen edhe reklamat. Me këto rregullore kemi paraparë rregullimin e tyre në hapësira publike dhe private”, ka thënë Kizolli.

Tutje ai ka thënë se gjatë gjithë procesit ka dështuar vetëm takimi i përsëritur me profesionistët e opozitës, të cilët ishin ftuar dy herë për debatim, por që të dyja herët kishin refuzuar pjesëmarrjen.

Ky dokument ka vlefshmëri tetëvjeçare, përkatësisht nga viti 2020 e deri në vitin 2028.