Përfundon numërimi i votave për kandidatët për deputetë në katër Komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka përfunduar në katër Komuna të Kosovës.

Sipas KQZ-së, numërimi i votave për kandidatë për deputetë ka përfunduar në Qendrat Komunale të Numërimit, në Komunat: Hani i Elezit, Shtërpcë, Partesh dhe Ranillug.

Në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mes të tjerash u tha se, deri më tani nga 26 Komuna ku ka nisur numërimi, janë numëruar 386 vendvotime.

“Në përgjithësi, nga të dhënat që kemi pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 26 Komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt, 14 tjera pasditen e 12 shkurtit dhe 8 më 13 shkurt) deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.” – thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më 14.02.2025.

Në Komunën e Prishtinës, Lipjan, Obiliq dhe Partesh numërimi ka filluar më 11.02.2025.

Një ditë me vonë, më 12.02.2025, numërimi ka nisur në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.

Ndërsa, në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik numërimi ka nisur më 13.02.2025 – sipas KQZ-së.

Ndërkohë që nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Në disa raste procesi është përcjellur me telashe teknike, që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.

Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.

Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institutcional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.

Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.