
Besim Kelmendi, prokuror
Përfundon mandati i Lumezit, Besim Kelmendi zgjidhet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur Besim Kelmendin si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Caktimi i ushtruesit të detyrës erdhi pasi që sot ka përfunduar mandati kryeprokurorit aktual të shtetit, Aleksandër Lumezi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, gjatë mbledhjes deklaroi se pasi që deri më sot nuk kanë pranuar dekretimin nga presidentja për kandidatin e propozuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, atëherë me qëllim që kjo pozitë të mos mbetet vakante është e domosdoshme që të caktohet një ushtrues detyre deri në një vendim nga Presidenca.
Njoftimi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë në fillim të muajit janar.
Propozimin për caktimin e Besim Kelmendit si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit e dha prokurorja Jehona Grantolli.
Caktimi i Besim Kelmendit si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit u bë me aprovimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të cilët ishin të pranishëm në mbledhje.
Procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit e kanë kritikuar organizatat e shoqërisë civile.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Raporti ka vënë në pah se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.
Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit