Përfundon intervistimi i drejtorëve të postës, njëri dërgohet në ndalim

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar dy drejtorë të Postës së Kosovës pasi që të njëjtit ishin përfshirë në një fjalosje dhe kacafytje brenda objektit ku punojnë.

Njëri nga dy drejtorët e departamenteve është dërguar në ndalim ndërsa tjetri është liruar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, përfshirë këtu edhe arrestimin e personit të dyshuar. Rasti është hapur sulm ndaj personit zyrtar.  Me urdhër të prokurorit personi i dyshuar V. T., është dërguar në qendrën e mbajtjes”, ka thënë Ahmeti- Haziraj për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme Posta e Kosovës ka njoftuar se sot paradite në objektin e administratës qendrore të Postës së Kosovës, ka ndodh një incident i vogël i fjalosjes dhe kacafytjes në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes.

Për këtë rast Posta ka thënë se janë duke u marr organet e rendit, ndërsa dy drejtorët janë intervistuar në Policinë e Kosovës në Prishtinë.

Menaxhmenti i ndërmarrjes, do të ndërmerr masat disiplinore gjatë ditëve në vijim, sipas rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes dhe ligjeve në fuqi.

Kacafytje brenda objektit të Postës së Kosovës