Përfundon gjykimi ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, prokurori kërkon t'i ndalohet ushtrimi i funksionit zyrtar
Durim Sheremeti, ish-shef i kabinetit të kryetarit të Pejës, i akuzuar për korrupsion, doli sot para Gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar edhe një herë me aktakuzën që ngarkon atë.
Përveç Sheremetit akuzohen edhe 3 zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, si dhe biznesmeni Ilir Kelmendi.
Në seancën e sotme palët në procedurë dhanë fjalën përfundimtare.
Prokurori i çështjes Agron Galani para trupit gjykues tha se pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që i ngarkon aktakuza.
Prokurori Galani po ashtu i propozoi Gjykatës që të akuzuarve t’u ndalohet edhe ushtrimi i profesionit në administratën publike.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Durim Sheremeti, avokati Labinot Murati tha se Prokuroria ka dështuar të argumentojë që i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.
“Prokuroria ka dështuar të argumentojë kundërligjshmërinë e veprimeve të të mbrojturit tim, meqenëse nuk ka arritur të argumentojë asnjë dispozitë ligjore, cilën e ka shkelur me rastin e nënshkrimit të raportit për pranimin e mallit”, tha avokati Murati.
Avokati Murati tha se i mbrojturi i tij i ka kryer detyrat e udhëzuara nga kryetari i Komunës, andaj sipas tij veprimi është kryer në kuadër të kompetencave të tij.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka argumentuar dashjen si element të kësaj vepre penale, e as dëmin e shkaktuar nga këto veprime.
Në anën tjetër vetë Durim Sheremeti deklaroi se veprimet e tij kanë qenë në përputhje me ligjin dhe se detyrat e tij ishin kryer sipas delegimeve të kryetarit të Komunës.
I akuzuari Ruzhdi Zhara u deklarua i pafajshëm duke shtuar se raporti për pranimin e mallit ishte shkruar në mënyrë amatoreske.
Ai raport sipas tij nuk kishte datë, ndërsa me pastaj në të me dorë është shënuar data.
Edhe të akuzuarit Gëzim Shala dhe Gëzim Lajqi kërkuan që gjykata t’i lirojë nga akuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Kelmendi, avokati Flamur Kelmendi, tha se Prokuroria nuk ka arriur të sigurojë provë relevante për bazueshmërinë e akuzës që i vihet në barrë klientit të tij.
“Aktakuza nuk është e bazuar në ligj, prokuroria ka dështuar të sigurojë prova relevante për bazueshmërinë e akuzës që i vihet në barrë të mbrojturit tim”, tha Kelmendi.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë se Pejës, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11,929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.
Sheremeti sipas dosjes së Prokurorisë ka nënshkruar raportin në emër të Organit Mbikëqyrës – menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë i emëruar menaxher i projektit në fjalë.
Në dosjen e prokurorisë menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.
Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9,929.41 euro.
Sipas aktakuzës, zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.
Aktakuza pretendon se të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9,929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9,929.41 euro.
Në anën tjetër, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 euro.
Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929.41 euro.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast bëhet të hënën në pra 15:00.