Përfundon edicioni i 21-të i Universitetit Veror të Prishtinës

Pas rreth dy javë kohëzgjatjeje është përmbyllur edicioni i  21-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë ceremonisë së përmbylljes, një organizim dhe aventurë akademike të tillë e përshëndeti rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai u shpreh optimist që një eksperiencë e tillë do të lejë gjurmë pozitive tek memoriet e të gjithë pjesëmarrësve.

“Shpresoj që gjatë kësaj kohe keni pasur mundësinë të pasuroheni profesionalisht dhe të socializoheni. Pas një angazhimi të tillë, UP do t’u shpërblen me certifikata, nga ku ju do të hapeni edhe për më shumë mundësi të tjera për të ardhmen”, theksoi rektori Sahiti.

Nga stafi akademik ndërkombëtar, Universitetin Veror të Prishtinës e përshëndeti profesori Jakub Donski – Lesiuk nga Universiteti Lodzki i Polonisë.

“Këto eksperienca të mbledhura gjatë këtyre dy javëve, nuk janë vetëm të rrethoheni me kultura të ndryshme, por gjithashtu edhe zgjidhje e problemeve të ndryshme. Dhe jam shumë i sigurt që edicioni i 22-të i UV-së, do të jetë më se i mrekullueshëm”, ka thënë Donski – Lesiuk.

Në edicionin e sivjetmë të UVP-së, kanë ndjekur kurset 350 studentë në fusha të ndryshme studimi, si dhe u organizuan një mori e aktiviteteve kulturore dhe sociale.