Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit
Përfundon autopsia e tre trupave të grupit terrorist
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsinë e tre trupave të tre pjesëtarëve te grupit terrorist të cilët u vranë gjatë një kundërsulmi që patën me Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.
Drejtori i IML-së Ditor Haliti në një bisedë me KALLXO.com ka konfirmuar se tashmë ka përfunduar autopsia ndërsa raportet e tyre ende nuk janë finalizuar.
“Po ajo çka mund të them është se autopsia ka përfundu. Identifikimi kjo është cështje e prokurorisë. Raportet ende nuk janë përfunduar”- tha Haliti për KALLXO.com përmes telefonit.
Trupat e Stefan Nedeljkoviq, Igor Millenkoviq dhe Bojan Mijailoviq janë dërguar në IML për tiu kryer obduksioni.
Stefan Nedelkoviq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës. Vdekja e Nedelkoviqit ishte konfirmuar të dielën ndërsa gjatë ditës së djeshme Policia njoftoi se ka gjetur trupin e tij.
Nedelkoviq, siç mëson KALLXO.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviqi. Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviq. Ky i fundit jetonte në Leposaviq. Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq ishte nga Leposaviqi.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se dy nga të vrarët kishin nënshtetesi të dyfishtë.
Një rreshter i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, kur një grup terrorist sulmuan patrullën policore në zonën e banuar me shumicë serbe, Banjskë të Zveçanit.
Nga përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.